Nisma jonë: Garantimi i mbrojtjes ligjore FALAS në fushën e sigurimeve për klientët tanë.


1. Përshkrim i situatës dhe arsyeja e kësaj iniciative
Garantimi i asistencës juridike në fushën e sigurimeve përfaqëson një sektor nevralgjik veprimi për të gjithë aktorët që përbëjnë sistemin në të gjithë kompleksitetin e vet. Tendenca në shumë vende europiane po shkon drejt zhvillimit të politikave garantuese, për të promovuar dhe siguruar mbrojtjen e individit që është dhe fokusi kryesor i aktivitetit të sigurimeve. Eliminimi i veprës penale apo çuarja në trajektoren e ligjit të veprimtarisë së garantuar nga sigurimi i kategorisë të sipërcituar si “KLIENT” janë mënyra sesi mund të sigurohet pa kompromis suksesi i aktivitetit.

Mungesa e informacionit, kostot e larta të shërbimeve juridike apo mbrojtja jo e dedikuar, janë vetëm disa nga arsyet që pengojnë ose vështirësojnë aksesin në sistemin e drejtësisë për shumë individë. Në këtë kuptim, ndihma penale në fushën e sigurimeve përfaqëson një angazhim të domosdoshëm të ekspertëve të ligjit në mbrojtje të të drejtave të Klientit, duke kontribuar gjithashtu në reformimin thelbësor dhe të kulturës të këtij aktiviteti në ekspansion të plotë.

Kategori të caktuara të klientëve, të cilat vetë legjislacioni i mbron në teori, mbeten të parealizuara në praktikë, duke vënë shoqërinë siguruese përballë situatash kompensimi, që në kushte e asistencës juridike profesionale, nuk do të duhej të përballej. Kjo vjen si pasojë e shumë faktorëve, ndër të cilët mund të përmenden:
• pamundësia financiare për të përfituar shërbime ligjore me pagesë;
• mungesa e njohurive bazë të përfaqësuesve të KLIENTËVE rreth legjislacionit dhe të drejtave që ata gëzojnë dhe që mund të realizojnë.
• tensioni në kushtet e aksidentit, që krijon premisat për vonesa në gjetjen e asistencës juridike.
Angazhimin e një zyre ligjore të përbërë nga profesionistë të angazhuar në këtë drejtim, do të krijonte kushtet për të shmangur këto humbje të shkaktuara nga mos njohja e mirë e të drejtave të garantuar nga statusi i KLIENTIT.
Praktikat e vendeve perëndimore, drejt të cilave aspirojmë të orientohemi, janë të mbushura me veprimtari ligjore në interesin e KLIENTIT në fushën e Sigurimeve. Në këto vende, legjislacioni që rregullon veprimtaritë e kësaj natyre është mjaft i pasur, ndërkohë që në kushtet e vendit tonë, legjislacioni është artikuluar në një numër modest ligjesh dhe dispozitash. Ndërkohë që konventat ndërkombëtare diktojnë të tjera standarde, vihet re nevoja urgjente për plotësim të legjislacionit. Duke qenë se praktikat gjyqësore ecin përkrah evolucionit ligjor, tashmë është e domosdoshme që ndihma juridike në interesin KLIENTIT të mund të zhvillohet në nivele të tilla që të orientojë zhvillimin e legjislacionit në këtë fushë dhe ky i fundit të forcojë efektet e ndihmës ligjore duke sjellë si pasojë të padiskutueshme dhe përfitimin e shoqërisë së Sigurimeve.

Zyra jonë merr përsipër në fushën e interesit të KLIENTIT, është konceptuar për të përfaqësuar dhe mbrojtur të drejtat dhe interesat e ligjshme, për të promovuar ndryshimin thelbësor në këtë fushë nëpërmjet zbatimit të ligjeve në fuqi, si dhe lobimit për amendimin dhe përmirësimin e legjislacionit ekzistues.

Misioni i Zyrës propozuese, është angazhimi për të punuar në dobi të interesit të Klientit duke reflektuar nevojat e shoqërisë bazuar në parimet e cilësisë, përgjegjshmërisë dhe të realizimit të sigurisë nëpërmjet:
• sigurimit të mbrojtjes penale në të gjitha shkallët e gjykimit;
• edukimit nëpërmjet këshillimit të klientelës;
• mediatizimit;
• strategjisë për realizimin e mbrojtjes ligjore në përputhje me aktet ndërkombëtare përkatëse.


2. Qëllimi dhe objektivat specifike te propozimit.
Objektivi i përgjithshëm i Zyrës propozuese:
Me anë të garantimit të mbrojtjes ligjore (FALAS – për klientët) t’i vihet në ndihmë në të njëjtën kohë klientit të Shoqërisë së Sigurimit, si dhe vetë Shoqërisë, në të gjitha rastet kur marrja e pafajësisë për klientin, do ta shmangë atë nga përgjegjësia civile për shpërblimin e dëmit.

Objektivat specifikë të qendrës janë:
1. dhënia e ndihmës juridike pa pagesë për kategorinë e klientëve:
• Mbrojtja dhe asistenca ligjore në kushtet e aksidentit të Klientëve që kanë paguar primin e sigurimit;
• Mbrojtja dhe shmangia nga detyrimi i shoqërisë së sigurimeve në kushtet kur klienti ka shkaktuar aksident me pasojë vdekjen, ose plagosje të rëndë.

Objektivat e mësipërm, në vijim të logjikës së shtjelluar në Analizën e Kuadrit të projektit, paraqesin rëndësi për një sërë arsyesh.
Së pari, është vështirësia për subjekte të caktuara për të përballuar shërbimin e ndihmës juridike të specializuar përkundrejt pagesës së lartë në treg.
Së dyti sigurimi i mbrojtjes tempestive/të menjëhershme dhe në kushtet e tensionit që shkakton aksidenti me pasojë vdekjen.
Së treti, Mbrojtja e specializuar dhe e dedikuar siguron hapësira më të larta suksesi, duke siguruar avantazhe të dyfishta dhe për shoqërinë siguruese.
Së katërti, Mbrojtja në këto kushte rrit efikasitetin e primit të realizuar nga Shoqëria e Sigurimit.
Së pesti, krijimi i precedentit gjyqësor, që ndihma juridike pa pagesë synon ta realizojë kryesisht në interesin e komunitetit në tërësi, pritet të mundësojë realizimin e të drejtave në afate kohore më të përshtatshme dhe pa ekuivoke në të ardhmen. Kështu, nëse ligji do të zbatohet në kompleksitetin e tij, mjaft aspekte do të gjejnë shprehje dhe realizim të plotë në praktikë, duke u materializuar në mënyrë të kuptueshme për të gjithë aktorët pjesëmarrës në procedurë.


Realizmi në kushte praktike:

1. Pagesa për shërbimin. Në lidhje me pagesën/honorarin për shërbimin ligjor të ofruar, sipas marrëveshjes që do të mbyllet midis palëve, ne propozojmë një pagesë fikse mujore (përkundrejt të cilës ofrohet disponueshmëria për trajtimin e të gjitha rasteve që do të lindin për trajtim) dhe një pagesë (në masë të variueshme) e ndryshme për çdo rast, në varësi të rastit konkret, (përkundrejt të cilës do të garantohet asistenca ligjore dhe përfaqësimi në gjykatë, në procesin penal, në mbrojtje të interesave të klientit (dhe të shoqërisë). Në rast suksesi (në raste vendimi pafajësie të marrë nga Studio), mund të parashikohet dhe pagesa e një përqindje mbi shumën totale të evituar nga Shoqëria, apo gjithsesi, pagesa e një “shpërblimi” për arritjen e rezultatit.

2. Mënyra e funksionimit. Përgatitja e policës, përcaktimi i primit, reklamimi dhe shitja e saj do të bëhet nga shoqëria. Në policë sugjerojmë që të vendoset dhe kontaktet të cilëve duhet ti drejtohen klientët në rast nevoje. Kontaktet mund të jenë të vetë shoqërisë (psh. nr. Jeshil në funksion 24 orë) apo të Studio-s (në këtë rast do jetë detyrë e kësaj të fundit përcaktimi i një numri i cili do të jetë në funksion 24 orë). Në rast aksidenti automobilistik me pasojë vdekjen, klienti (Oficeri i Policisë Rrugore, Prokurori apo O.P.Gj. - Oficeri i Policisë Gjyqsore) kontakton me numrin e vendosur në policë, duke aktivizuar në këtë mënyrë Studion, e cila që nga ky moment bëhet referuese e vetme e klientit dhe merr përsipër përfaqësimin në Prokurori/Gjykatë të klientit. Shërbimi përfundon në momentin kur vendimi penal i dhënë nga Gjykata, merr formë të prerë.


3.Metodologjia
a. Përshkrimi i metodologjisë që do zbatohet për arritjen e rezultateve.
b. Rezultatet e pritshme dhe monitorimi i progresit.

I gjithë ky proces pritet që të sjellë një sërë rezultatesh të përmbledhura si më poshtë:
• rivendosjen e të drejtave të klientit të shkelura në prokurori (apo gjithsesi gjatë fazës së hetimit);
• krijimin e precedentëve gjyqësorë të favorshëm për kategorinë e marrë në mbrojtje;
• amendimin e ligjeve dhe akteve të tjerë nënligjorë, si dhe nisma të reja ligjore në favor të shtresave në nevojë, bazuar në precedentët dhe eksperiencën që Studio do të realizojë, kombinuar edhe me praktikat e sugjeruara nga partnerët ose nga eksperienca të ngjashme të huaja;
• ndërgjegjësimin e Klientit për të garantuar një gamë më të gjerë të të drejtave.

Për verifikimin e realizimit të objektivave të zyrës, do të përdoren indikatorët e mëposhtëm:
• numri i kërkesave për ndihmës juridike;
• numri i praktikave të ndjekura;
• numri i çështjeve të zgjidhura me sukses;
• këshillimet verbale, me shkrim, ose elektronike.

c. Zona dhe koha e zbatimit.
Zona e zbatimit do të jetë i gjithë territori i Republikës së Shqipërisë, por përqendrimi i aktivitetit do të jetë në Tiranë dhe zonat të tjera urbane qendrore. Koha e zbatimit do të jetë periudha Prill 2010 - Mars 2011, e rinovueshme në bazë të marrëveshjes midis dy palëve.

d. Grupi i punës në këtë projekt.
Niveli operacional përfshin stafin ekzekutiv të përhershëm dhe të angazhuarit eventualë me kohë të pjesshme për kryerjen e veprimtarive konkrete. Për të siguruar rezultate sa më efikase, personat që do të kryejnë detyrat kryesore ekzekutive kanë titullin Avokat dhe janë të licencuar për kryerjen e këtij aktiviteti.


Studio Legale Çerekja



Studio Çerekja
Nisma Jonë
Pakti Ynë
Punësimi
Links
Kontakto
Web Mail
Gazeta OnLine
Partners
e-mail me